Ngritja e kapaciteteve lokale dhe bashkëpunimi në zbatimin e ligjit për të luftuar trafikimin e paligjshëm të trashëgimisë kulturore shqiptare

Trashëgimia kulturore e Shqipërisë pasqyron një histori të pasur dhe komplekse, e krijiuar nga ndikime të ndryshme kulturore. Megjithatë, vendi vazhdon të përballet me sfida që lidhen me trafikimin e paligjshëm të trashëgimisë kulturore.

Me mbështetjen financiare të programit Granti i Implementimit të Marrëveshjes për Pronën Kulturore (CPAIG) e ofruar nga Departamenti i Shtetit nëpërmjet Ambasadës së SHBA-ve, Cultural Heritage without Borders Albania (CHwB Albania) ka nisur një projekt dyvjeçar të titulluar "Ngritja e kapaciteteve lokale dhe bashkëpunimi në zbatimin e ligjit për të luftuar trafikimin e paligjshëm të trashëgimisë kulturore shqiptare”. Kjo iniciativë do të ndihmojë në forcimin e kapaciteteve kombëtare për të mbrojtur trashëgimin kulturore, duke u përqendruar në trajnime për zbatimin e ligjit, ndërgjegjësimin e publikut dhe bashkëpunimin ndërinstitucional, duke kombinuar tryeza të rrumbullakëta, trajnime profesionale, angazhimin e palëve të interesuara, vlerësimet e vendeve dhe informimin publik.

Thelbi i projektit përqendrohet në fuqizimin e atyre që janë në vijën e parë të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore. CHwB Albania do të punojë ngushtë me institucionet kombëtare dhe lokale, duke përfshirë forcat e policisë, zyrtarët doganorë, njësitë e kontrollit kufitar, profesionistët e trashëgimisë kulturore dhe agjencitë qeveritare, për të përmirësuar koordinimin dhe për të krijuar struktura më të forta për parandalimin e aktiviteteve të paligjshme. Gjatë projektit, më shumë se 100 profesionistë do të marrin trajnime ekspertë dhe specialistë të rrjeteve kombëtare dhe ndërkombëtare, duke synuar se si të identifikojnë, monitorojnë dhe reagojnë ndaj krimeve të trashëgimisë kulturore. Përveç kësaj, do të organizohen një sërë diskutimesh në tryezë të rrumbullakët për të identifikuar nevojat, prioritetet dhe mundësitë për bashkëpunim dhe koordinim midis institucioneve dhe palëve të interesit.

Përveç ndërtimit të kapaciteteve, projekti përfshin vlerësime të hollësishme të sigurisë në parqet arkeologjike Apolloni, Bylis dhe Antigone, site me rëndësi të madhe kulturore dhe historike në Shqipëri që së bashku përfaqësojnë mbi dy mijë vjet trashëgimi shqiptare dhe mesdhetare. Megjithatë, këto thesare kulturore përballen me sfida në rritje për shkak të rreziqeve që lidhen me trafikimin e paligjshëm të artefakteve. Secili prej këtyre parqeve do të vizitohet nga konsulentë sigurie dhe autoritete lokale për të vlerësuar kushtet aktuale dhe për të zhvilluar strategji të përshtatura mbikëqyrjeje dhe monitorimi. Këto strategji jo vetëm që do të ndihmojnë në mbrojtjen e ketyre siteve, por do të shërbejnë edhe si modele që mund të replikohen në site të tjera të trashëgimisë në të gjithë vendin.

Po aq e rëndësishme është edhe rritja e ndërgjegjësimit publik. Një element i rëndësishëm i projektit përqendrohet në angazhimin e komuniteteve që jetojnë afër këtyre siteve, veçanërisht të rinjtë dhe mësuesit. Përmes fushatave publike, materialeve edukative dhe informimit mediatik, projekti inkurajon ndryshimin e mentalitet, duke e parë trashëgiminë kulturore jo vetëm si përgjegjësi të shtetit, por si një trashëgimi të përbashkët në mbrojtjen e së cilës të gjithë shqiptarët kanë një rol.

Ky projekt është në përputhje me angazhimet e Shqipërisë sipas Marrëveshjes SHBA-Shqipëri të vitit 2021 për Pronën Kulturore dhe mbështet prioritetet kryesore të identifikuara në draft-planin e veprimit që është në zhvillim e sipër nga qeveria shqiptare dhe Qendra e Trashëgimisë Kulturore. Ai është gjithashtu në përputhje me kornizat ndërkombëtare, të tilla si Konventa e UNESCO-s e vitit 1970 dhe Plani i Veprimit i BE-së kundër Trafikimit të të Mallrave Kulturore, si dhe Strategjinë e vetë Shqipërisë Kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda 2021–2025.

CHwB Albania beson se mbrojtja e trashëgimisë kulturore nuk ka të bëjë vetëm me ruajtjen e së kaluarës, por ka të bëjë me investimin në një të ardhme më të sigurt, më të informuar dhe më të pasur nga ana kulturore. Ky projekt pasqyron këtë besim dhe përforcon angazhimin tonë për të mbështetur përpjekjet kombëtare për të luftuar trafikimin e paligjshëm të trashëgimsë kulturore.

Trafikimi nëpërmjet rrugëve të paligjshme, qoftë trafikimi i qënjeve njerëzore apo trafikimi i mallrave të paligjshme, përbën një kërcënim serioz për sigurinë globale dhe dinjitetin njerëzor. Ai nxit krimin e organizuar, dobëson ekonominë dhe shkakton dëme të thella sociale. Rritja e ndërgjegjësimit dhe forcimi i përpjekjeve kolektive janë hapa thelbësorë drejt parandalimit dhe luftimit të këtij fenomeni kompleks.

Ftojmë të gjithë palët e interesuara, partnerët dhe publikun të ndjekin progresin e projektit dhe të na bashkohen për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të Shqipërisë.

Vendndodhja :

Shqipëri (Parku Arkeologjik i Antigonesë, Apollonisë dhe Bylisit)

Periudha e projektit:

2 vjet

Partnerët:

Ambasada e SHBA-së në Shqipëri, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit
sqAlbanian