Konservimi dhe përforcimi i ndërhyrjes në Kullën ¨C¨ në Kalanë e Durrësit, pas tërmetit në Nëntor 2019

Konservimi dhe përforcimi i ndërhyrjes në Kullën ¨C¨ në Kalanë e Durrësit, pas tërmetit në Nëntor 2019

Trashëgimia kulturore e ndërtuar është e pazëvendësueshme dhe shumë komplekse; ajo evoluon me kalimin e kohës duke u pasuruar me më shumë elementë dhe modele të trashëgimisë. Këto pasuri (elemente dhe modele) po bëhen shumë të cënueshme për shkak të ndryshimeve të paparashikueshme që lidhen me zhvillimin e shpejtë të qyteteve, aktivitetin sizmik, ndryshimet klimaterike etj… I tillë është rasti i Kullës ¨C¨ në muret rrethuese të qytetit antik të Durrësit.

Kulla u ndërtua në fund të shekullit të 4 -të dhe fillimin e shekullit të 5 -të si pjesë e mureve mbrojtëse të Durrësit, dhe ka pësuar ndryshime të ndryshme, duke filluar me shembjen e murit lindor në shekullin XIII, deri në rindërtimin e murit Anzhuin, pasuar nga ndërtimi i shtresës së jashtme , shtuar gjatë periudhës së sundimit osman (Fig.1).
Tërmeti i vitit 2019 që goditi qytetin e Durrësit shkaktoi dëme të mëdha në trashëgiminë kulturore të ndërtuar, dhe Kulla “C” renditet ndër objektet e dëmtuara, me shembje të pjesshme të saj (Fig.2).

Në vitin 2019 CHwB-Shqipëri, falë mbështetjes financiare të Fondit të Ambasadorit për Trashëgiminë Kulturore (AFCP), Agjencisë Suedeze të Bashkëpunimit për Zhvillimin Ndërkombëtar (SIDA) dhe, mbështetjes shkencore të Fondit Botëror të Monumenteve dhe Ministrisë së Kulturës, filloi procesin e restaurimit që ndjek tre faza ndërhyrrjesh:

  • Faza 1 – Stabilizim emergjent
  • Faza 2 – Projektimi i masave konservuese
  • Faza 3 – Implementimi i punimeve konservuese

Vendndodhja :

Durrës, Albania

Datat e projektit :

June 2020 – May 2022

Donatoret :

U.S. Ambassadors Fund for Cultural Preservation (AFCP) Sweden

Ne bashkepunim me :

World Monuments Fund, National Institute of Cultural Heritage, AD-Star

Grupi i punës :

CHwB Albania, Pirro Thomo, Gjerak Karaiskaj, Arben Dervishaj, Grigor Angjeliu, Ervin Paçi, Altea

Faza 1 (Fig.3,4) dhe faza 2 kanë përfunduar dhe është duke u zbatuar faza 3, implementimi I punimeve konservuese.

Për përgatitjen e projekt propozimit të konservimit janë kryer një sërë studimesh si më poshtë: i) gjeologjike (Fig.5); ii) dokumentim me GjeoRadar; iii) materialet e ndërtimit (Fig.6); iv) sondazhe arkeologjike (Fig.7) dhe v) analiza sizmike përmes llogaritjeve kinematike (Fig.8) dhe llogaritjeve numerike të aplikuara për të përcaktuar kapacitetin e strukturës. Më pas, u krye analiza e elementëve të fundëm (FEM) e fokusuar në uljet relative për shkak të diferencave në themel (Fig.9), për të krahasuar çarjet ekzistuese në strukturë me ato të krijuara nga modeli numerik (Fig.10).

Rezultati dha një ide të qartë të shkaqeve të shembjes; zgavra në themel çoi në zhvillimin e çarjeve vertikale, rrotullimin e bllokut të shkëputur dhe si pasojë dalje nga vertikaliteti, ndërsa tërmeti i shkaktoi lëkundje periodike te cilat duke u perfercuar shkaktuan rrëzimin e saj (Video. 1)

Si përfundim, propozimet për konservimin dhe përforcimin e objektit u përgatitën bazuar në interpretimin e rezultateve që dolën nga analiza. Këto propozime konsistojnë në konsolidimin dhe riparimin e murit të themelit përmes teknikave tradicionale, rindërtimin e murit të shembur me blloqet e murit të rënë (Fig.11), instalimin e tirantave prej inoksi për të përmirësuar reagimin e global të strukturës si dhe pastrimin dhe riparimin e murit me qëllim restaurimin e Kullës ¨C¨(Fig.12).

Për të mësuar më shumë rreth procesit të konservimit, na vizitoni në Durrës në strukturën e përkohshme ¨ Qoshku ¨ vendosur në kantierin e ndërtimit.

 Video.1 Mekanizmi i kolapsit përmes analizës së Metodës së Elementit Diskret.

sqAlbanian