Historia e banesave Gurgai e Hadëri, është historia e shumë banesave karakteristike të Gjirokastrës. Pozicionuar pranë qendrës së zonës historike, të dy këto monumente kanë qënë dikur pika të rëndësishme. Shumë ndryshime ndodhën gjatë viteve, deri kur këto u braktisën plotësisht nga banorët e shumtë. Braktisja dhe mungesa e mirëmbajtjes shkaktoi probleme me çatitë.
Dëmtimi i çatisë së banesës Gurgai shkaktoi shkatërrimin e dyshemeve dhe tavaneve të drunjta. Ndërhyrjet e shumta gjatë viteve dhe degradimi i vazhdueshëm i strukturës së brendshme shkaktuan rënien e pjesshme të fasadës perëndimore. Monumenti Hadëri përballet me shembjen e plotë të çatisë dhe shembjen e pjesshme të mureve. Zjarri i vitit 2012, rënia e pjeshme e fasadës perëndimore në qershor 2013 dhe një tjetër rënie e pjesshme në janar 2014 u pasuan nga një vendim i Komitetit të Emergjencave për të shembur qëllimisht një pjesë tjetër të fasadës perëndimore, pasi u vlerësua si e rrezikshme.
Ky është projekti i parë i kësaj natyre në zonën historike të Gjirokastrës. Synimi i tij është që të konsolidohen disa objekte në gjendje rrënoje, duke i përdorur këto punime për të rritur ndërgjegjësimin për numrin e madh të monumenteve në këtë gjendje në qytetin e Gjirokastrës dhe nevojës emergjente për ndërhyrje përforcuese në to. Me këtë qëllim do të organizohen disa punëtori me pjesëmarrje nga grupet e interesit.
Punët e kryera: Pastrimi nga mbetjet; përzgjedhja e materialeve që do të ripërdoren; përforcimi i mureve prej guri; përforcimi i dyshemeve të drunjta; ngritja e një çatie të përkohshme; përforcimi i strukturës së çatisë.