Banja publike ka qenë prej kohësh një element i rëndësishëm i jetës shoqërore në këtë rajon. Nga banjat romake si vende për takime, ushtrime dhe shkëmbime deri tek banjat e stilit osman që strehojnë një hapësirë për biseda, intriga dhe diskutime politike, të dyja kanë promovuar një recetë të shëndetshme pastërtie, relaksi dhe shoqërimi. Shqipëria ka trashëguar një sërë banjash nga Perandoria Romake dhe Osmane, duke përfshirë: banjat romake në Durrës (shek. I pas Krishtit); hamami i Shkodrës (1540); hamami i Lezhës (1560); hamami i Tiranës (1614); hamamet në pazar (shek. XVII) dhe në Kalanë e Sinan Pashës në Elbasan; hamami i Gjirokastrës; dhe, hamami i shekullit të 15-të që ndodhet në kalanë e Krujës.
Në Krujë, hamami ishte për shumë vite një relike e harruar. Restaurimi i këtij monumenti të kulturës, një mbetje kyçe e komunitetit lokal dhe një tërheqje e mundshme turistike, është një hap i rëndësishëm drejt zhvillimit të një rrjeti më të madh të vendeve të trashëgimisë të bazuara në shërbime në të gjithë Shqipërinë dhe Ballkanin.
Objektivat e CHwB Albania në këtë projekt restaurimi dhe rivitalizimi përfshinin zhvillimin e qëndrueshëm të trashëgimisë kulturore për gjenerimin e të ardhurave, duke e rikthyer këtë monument në funksionin e tij origjinal. Ky restaurim premton rinovimin e stimujve financiarë për anëtarët e komunitetit, rivitalizimin e lagjes përreth, rritjen e turizmit dhe fillimin e një nisme më të madhe që fokusohet në ndërtimin e një rrjeti kombëtar të hamameve tradicionale funksionale.
Hamami i Krujës është restauruar nga Trashëgimia Kulturore pa Kufij në bashkëpunim me Institutin e Monumenteve të Kulturës dhe financuar nga Qeveria e Suedisë gjatë viteve 2013-2015.