“Trego Historinë e Gjirokastrës” ishte një projekt i interpretimit të trashëgimisë kulturore që synonte të rriste ndjeshmërinë e banorëve të Gjirokastrës ndaj veçantisë së trashëgimisë kulturore të qytetit të tyre dhe gjendjes së saj, si dhe t’i nxiste ata drejt përfshirjes aktive në mbrojtjen dhe konservimin e saj. Synimi i projektit ishte adresimi i problemit të degradimit të dukshëm e të shpejtë të trashëgimisë fizike e shpirtërore të qytetit të Gjirokastrës nëpërmjet rritjes së ndërgjegjësimit të komunitetit dhe të përfshirjes së tyre në debatin publik lidhur me këtë çështje.
Produkt themelor i këtij projekti ishte konkursi i posterave mes nxënësve të shkollave të mesme të cilet u përfshine në proçesin e kërkimit e interpretimit të trashëgimisë kulturore nëpërmjet artit. Krijimet e nxënësve ishin rezultat i një pune të mirë kërkimore që u mbështet nga disa kurse trainuese, leksione nga ekspertë të trashëgimisë dhe nga anëtarë të tjerë të komunitetit, ku përfshiheshin mësues e pronarë monumentesh.
Posterat fitues, të përzgjedhur nga një juri, të shpallur në ceremoninë e ndarjes së çmimeve, u përfshinë në një ekspozitë lëvizëse në disa prej shkollave të mesme të qytetit si dhe në qytetin e Beratit, si një ekspozitë ndërgjegjësuese për qytetin që ndan vlera e problemeatika të ngjashme me qytetin e Gjirokastrës.