Projekti i restaurimit dhe përforcimit të Kalasë së Prezës

Projekti i restaurimit dhe përforcimit të Kalasë së Prezës

Kalaja e Prezës përfaqëson një pasuri shumë interesante të trashëgimisë së fortifikuar, me një vendndodhje shumë strategjike në afërsi të kryeqytetit dhe e zhvilluar në një peizazh natyror unik të ngritur, në majë të një kodre. Kalaja mendohet se është ndërtuar gjatë shekullit të 15-tëth dhe përfaqëson një fortifikim me një histori të gjatë fazash të ndryshme ndërhyrjeje, më saktë katër faza që përbëjnë ndërtimin e saj.

Kullat e rrumbullakosura që mund t’i vëreni edhe sot në qoshet e saj, i përkasin fazës së dytë historike dhe kulla e sahatit, simboli i sotëm i kësaj kështjelle, besohet se është ndërtuar mbi një nga këto kulla të rrumbullakëta, rreth viteve 1850′.

Tërmeti shkatërrimtar i nëntorit 2019 pati një ndikim katastrofik në pjesën më të madhe të trashëgimisë kulturore të prekshme në Shqipëri, përfshirë edhe kalanë e Prezës.

Pati një shembje të madhe murature në dy kulla, duke përfshirë edhe murin fortifikues në mes. Pjesa e sipërme e kullës së sahatit, së bashku me katër kolonat, strukturën e çatisë prej druri dhe një fragment të madh murature u shkatërruan dhe muret u dëmtuan shumë. Një fragment i madh i kullës së rrumbullakët me dritare dhe një oxhak u shemb gjithashtu. Edhe muri fortifikues pësoi disa dëmtime, duke përfshirë shembjen e disa prej bedenave të tij.

Prandaj ishte i nevojshëm një reagim i menjëhershëm për të trajtuar këtë status-quo emergjent të monumentit.

Vendndodhja :

Preza, Vore, Albania

Datat e projektit :

2020 – 2022

Donatoret :

U.S. Ambassadors Fund for Cultural Preservation (AFCP).

Ne bashkepunim me :

World Monuments Fund, National Institute of Cultural Heritage

Grupi i punës :

CHwB Albania, Grigor Angjeliu, Ervin Paci, Gjerak Karaiskaj, Arben Spaho

Kalaja e Prezës pas tërmetit dhe para ndërhyrjes

Nëpërmjet mbështetjes financiare të Fondit të Ambasadorëve të SHBA për Ruajtjen e Kulturës (AFCP) dhe Suedisë, dhe mbështetjen shkencore të Fondit Botëror të Monumenteve, Trashëgimia Kulturore pa Kufij Shqipëri (CHwB Albania) hartoi propozimin e ndërhyrjes dhe koordinoi procesin e restaurimit dhe përforcimit për pasuri të dëmtuara në Prezë.

I gjithë procesi nisi me një stabilizim dhe përforcim emergjent të të dy kullave, duke përfshirë heqjen e fragmenteve të rrezikshme, e të lira.

Për të kuptuar më mirë gjendjen aktuale të monumentit referuar periudhave dhe ndërhyrjeve të ndryshme historike, u konsultuan bazat e të dhënave dhe arkivat e Institutit të Monumenteve.

Kalaja e Prezës pas ndërhyrjes

Propozimi përfundimtar përfshinte disa ndërhyrje. Restaurimi i murit fortifikues kaloi në një sërë procesesh që nga pastrimi, ripikëzimi, fuga dhe riformulimi i mureve. Të njëjtat procese u zbatuan edhe në kullën e rrumbullakosur dhe në kullën e sahatit. Ndërhyrjet në të dyja kullat ishin më sfiduese dhe delikate dhe kërkonin një nivel më të lartë ekspertize inxhinierike pasi proceset kaluan nga rindërtimi në rehabilitimin strukturor përmes përforcimit duke përdorur materiale inovative në strukturën e brendshme të muraturës.

Shumica e gurëve origjinalë të shembur janë përzgjedhur dhe ripërdorur në procesin e rindërtimit, ndërsa gurë shtesë nga shtëpitë e shembura aty pranë janë mbledhur dhe përdorur gjithashtu.

Në këtë proces u përfshinë mjeshtër vendas me përvojë nga Preza, me njohuri mbi teknikat tradicionale vendase. Ata punuan në rindërtimin e çatisë së drurit dhe katër kolonave të kullës së sahatit, duke rindërtuar dhe përforcuar njëkohësisht muraturën e shembur të kullës së rrumbullakosur.

Janë kryer disa analiza dhe teste të fokusuara në gjeologjinë dhe përbërjen e terrenit të kullës së rrumbullakosur. Rezultatet e testeve i shërbyen ekspertëve për të kuptuar më mirë mekanizmin e shembjes së muraturës dhe për të propozuar ndërhyrje përforcuese.

Një synim i fundit dhe i rëndësishëm, ishte që ky monument të bëhej i aksesueshëm dhe miqësor për vizitorët, prandaj shkalla e brendshme ekzistuese metalike e kullës së sahatit u përforcua dhe u restaurua, si dhe tarraca e kullës së rrumbullakosur fortifikuese u pajis me një parmak dhe korrimano metalike sigurie. Në këtë mënyrë monumenti do të mirëpresë vizitorët dhe do të bëjë të paharrueshme përjetimin e tij dhe panoramës së peizazhit që ofron si vlerë e shtuar.

Punimet e zbatimit u kryen nga prilli 2021 deri në prill 2022. Ai përfaqëson një projekt rikuperimi të monumentit, duke e bërë atë më rezistent ndaj rreziqeve të tjera të mundshme natyrore në të ardhmen. Trajtimi i patologjive ekzistuese që nuk ishin trajtuar ndër vite dhe stabilizimi strukturor kishte qëllimin përfundimtar për tia rikthyer këtë monument komunitetit të Prezës dhe brezave të ardhshëm.

sqAlbanian