Ndërhyrjet e shumta të viteve të fundit, jo vetëm në ndërtesa, po edhe në sinjalistikë, tabela, instalime teknike e në hapesira publike, kanë ndikuar në humbjen graduale të integritetit historik të qytetit të Gjirokastrës. Gjirokastrës i duhet një dokument ligjor qe të caktojë cilat kritere dhe standarte këto ndërhyrje duhet të ndjekin në mënyrë që karakteri historik i qytetit të ruhet e, në disa raste, të rifitohet. Qëllimi i këtij projekti është përpilimi i një dokumenti të tillë, që do të ndihmojë në rikthimin e integritetit të humbur të zonës së Pazarit dhe do të garantojë që ndërhyrjet të bëhen në përputhje me parimet dhe standartet e Konventës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
Zona e pazarit dhe ajo rreth saj shquhen për dinamiken e tyre dhe specifikat që kanë, jo vetem nga apekti arkitektonik, po edhe ai funksional. Si qendra e zonës historike dhe qendër e aktivitetit tregrtar, pazari është një nga pikat më të vizituara në qytet.
Projekti i Udhëzimeve të Projektimit të Ndërtesave filloi me dokumentacionin e detajuar të pazarit, i realizuar përmes mbledhjes së të gjitha materialeve grafike dhe teknike nga arkivat; po vijon me punën teknike të një grupi specialistësh të caktuar nga të gjitha institucionet përkatëse.
Projekti do të angazhojë të gjithë palët e interesuara, përmes sesioneve informative dhe punëtorive, si dhe do të organizohen trajnime për stafin e institucionit që do të përdorë këtë dokument.