Projekti i ri i titulluar “Platformat e Fuqizimit dhe të Mësimit përmes Trashëgimisë” ka nisur zbatimin nga CHwB Albania si pjesë e projekteve fituese nga thirrja e granteve “Recraft the Past, Build up the Future” të programit EU4Culture.
EU4Culture është një program i financuar nga Bashkimi Evropian, zbatuar nga agjencia e Kombeve të Bashkuara, UNOPS me mbështetjen e Ministrisë e Kulturës që synon rijetësimin e siteve të trashëgimisë kulturore të prekura nga tërmeti i vitit 2019.
Qëllimi i projektit është konceptimi dhe realizimi i 4 modeleve të reja edukative për sitet dhe monumentet e Muzeu Etnografik i Kavajës, Muzeu Etnografik i Krujës, Ura e Kurçajt (Krujë), Kalaja e Bashtovës.
Krijimi i këtyre modeleve do të shtrihet në në disa etapa duke gërshetuar seksione konsultative dhe trajnuese për pjesëmarrësit që përfaqësojnë njëkohësisht edhe palët e interesit.
Në secilin prej tre qyteteve, Kavajë, Krujë e Rrogozhinë do të zhvillohen tre raunde punëtorish me tema të ndryshme dhe më pas do të nisë bashkë-krijimi i modeleve me artistë të rinj, duke u mbështetur në njohuritë dhe informacionin e mbledhur gjatë punëtorive si dhe nga ekspertë të fushave përkatëse.
Modelet që do të krijohen synojnë të forcojnë njohuritë e fëmijëve të moshave 6-11 vjeç si dhe të shërbejnë si mbështetje për aktivitete praktike në lidhje me trashëgiminë kulturore. Metodologjia që do të ndiqet për krijimin dhe më pas të punuarit me këto modele të reja nga Kavaja, Kruja dhe Rrogozhina janë të lidhur me përvojën e gjatë dhe të suksesshme të CHwB Albania me koleksionin për fëmijë “E Ka Kush e Ka“.
Projekti “Platformat e Fuqizimit dhe të Mësimit përmes Trashëgimisë” do të nxisë potencialin e pashfrytëzuar të siteve të trashëgmisë kultutore duke ndihmuar në fuqizimin e komunitetit dhe krijimin e mjeteve praktike të të mësuarit në site.